Lufta kundër korrupsionit për zyrtaret e lartë

Dosja Shpëtim Gjika

Premtimi: Lufta kundër korrupsionit për zyrtaret e lartëe pamatshme

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Shpëtim Gjika, me funksion Kryetar i Bashkisë Vlorë dhe shtetasen Doriana Sulaj, me funksion Drejtor i Drejtorisë të Planifikimit të Territorit në këtë institucion, të dyshuar për konsumimin e veprave penale të “falsifikimit të dokumenteve…”; “shpërdorimit të detyrës”; “ndërtim i paligjshëm..”; dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të parashikuara nga nenet 186/2, 199/a/2 e 25 dhe 143/2 të K.Penal.

Gjithashtu, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për shtetasin Artur Haxhi, administrator i shoqërisë së ndërtimit “Turi&M.Z.B”, i dyshuar për konsumimin e veprave penale “falsifikim i dokumenteve”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “ndërtim i paligjshëm” dhe “mashtrimi”, të parashikuara nga nenet 186/2, 199/a/2 e 25 dhe 143/2 të K.Penal.

Vendimi i gjykatës është zbatuar nga ana e forcave të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Vlorë.

Prokuroria e Vlorës ka regjistruar procedimin penal nr.1264 viti 2013, në bazë të kallëzimit të një shtetaseje.Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme lidhur me këtë procedim penal ka rezultuar se shtetasi Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me shtetasen Doriana Sulaj, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit në Bashkinë Vlorë, kanë përpiluar dhe lëshuar dokumente me përmbajtje të falsifikuara. Me konkretisht, dokumentet e dyshuara të falsifikuara janë si më poshtë vijon;

  • Vendim me nr.1, datë 17.01.2011 të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në numrin rendor 19 të të cilit përshkruhet se “është miratuar shesh ndërtimi dhe lejë ndërtimi 2-8-1011 kate me subjekt ndërtues “Turi&M.Z.B” sh.p.k, me pronarë 4 familje”;
  • Vendim me nr.1/19, datë 17.01.2011 të KRRT-së së Bashkisë Vlorë për miratimin e destinacionit të sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane të tij, sipas formularit nr.2, që mban datën 10.04.2013, për truallin në pronësi të 4 familjeve”;
  • Lejë ndërtimi nr.1/19, datë 17.01.2011 të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, sipas formularit nr.4, që mban datën 10.04.2013, në favor të subjektit ndërtues “Turi&M.Z.B” sh.p.k;
  • Leja e përdorimit me nr.18, datë 18.06.2013 e Kryetarit të Bashkisë Vlorë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se në mbledhjen e KRRT-së së Bashkisë Vlorë të datës 17.01.2011, duke u nisur nga përmbajtja e protokollit të kësaj mbledhje, nuk rezulton që të jetë marrë në shqyrtim ndonjë kërkesë për shesh ndërtimi apo për leje ndërtimi nga pronarët e truallit të mësipërm apo nga subjekti ndërtues, si dhe nuk rezulton që të jetë miratuar shesh ndërtimi dhe lejë ndërtimi në favor të pronarëve të truallit dhe subjektit ndërtues të mësipërm.

Dokumentet me përmbajtje të falsifikuar janë përdorur nga administratori dhe përfaqësuesi ligjor i shoqërisë “Turi&M.Z.B” sh.p.k, shtetasi Artur Haxhi, me qëllim për të justifikuar kryerjen e ndërtimit si dhe për të rregjistruar objektin e ndërtuar në Z.Rr.P.P Vlorë. Rezulton se ndërtimi është kryer pjesërisht edhe në truall me pronësi shtet apo në pronësi të personave të tjerë.

Mbi bazën e këtyre dokumenteve me përmbajtje të falsifikuar është kryer ndërtimi i objektit godinë banimi dhe shërbime me 11 kate dhe se për ndërtimin e këtij objekti është lëshuar leja e përdorimit dhe dokumentacioni është dërguar për tu regjistruar pronësia e objektit në Z.Rr.P.P Vlorë.

 

Njëkohësisht, gjatë hetimeve paraprake është kërkuar nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë në mënyrë të përsëritur që të sekuestrohet në Bashkinë Vlorë protokolli i mbledhjeve të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, për mbledhjet e zhvilluara në vitin 2011. Nga ana e Kryetarit të Bashkisë Vlorë si dhe Drejtores së Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit në Bashkinë Vlorë, protokolli i mbledhjeve në mënyrë të përsëritur është refuzuar që të vihet në dispozicion të grupit hetimor të kryesuar nga Prokurori.

Në këtë mënyrë, nga hetimet e deritanishme ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova se shtetasi Shpëtim Gjika në bashkëpunim me shtetasen Doriana Sulaj kanë konsumuar veprat penale “falsifikim i dokumenteve”, nga personi që e ka për detyrë të lëshojë dokumentin, “shpërdorim i detyrës”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të parashikuara nga nenet 186/3 e 25, 248 e 25, 199/a/2 e 25 dhe 301 të K.Penal, ndërsa shtetasi Artur Haxhi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “falsifikim i dokumentave”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “ndërtim i paligjshëm” dhe “mashtrimi”, të parashikuara nga nenet 186/2, 199/a/2 e 25 dhe 143/2 të K.Penal

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, me vendimet e datës 06.02.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është caktuar për shtetasit Shpëtim Gjika, Doriana Sulaj dhe Artur Haxhi masa e sigurimit personale “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Duhet parë sesi do procedohet nga Gjykata mbi çështjen në fjalë, duke qenë se muaj më parë Gjykata e Apelit Tiranë rrëzoi akuzat e ngritura mbi kryetarin e Bashkisë Vlorë për përfshirje në procedura të dyshimta për dhënie leje ndërtimi. Deri në momentin e një vendimi nga gjykata për shpalljen të fajshëm apo të pafajshëm, kjo çështje mbetet e pamatshme/ në proces monitorimi.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Bashkia Tirane: Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve, i realizuar

Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve. Do t’iu kalohen në kompetencë njësive bashkiake administrimi i infrastrukturës dytësore dhe shërbimeve publike të drejtpërdrejta për qytetaret e bizneset, si dhe kompetencat e caktimit dhe mbledhjes së të ardhurave e të administrimit të fondeve, […]