Normalizimi i sistemit të energjisë, pjeserisht e vertete/ pjeserisht e realizuar

pergjithesishtverteteNormalizimi i sistemit të energjisë është prioritet shumë i rëndësishëm.

Premtimi: Qeveria e ka përcaktuar normalizimin në sektorin energjetik si një prioritet të rëndësishëm të saj. Ajo ka premtuar reformë të thellë për ta nxjerrë sektorin energjetik nga kriza dhe për ta kthyer atë në një sektor fitimprurës për ekonominë.

Përshkrimi i situatës: Sektori energjetik mbetet një ndër pikat e dobëta të ekonomisë shqiptare, me efekte të mëdha jo vetëm për financat publike, por edhe për jetën ekonomike dhe shoqërore të qytetarëve. Ky sektor mbart probleme të trashëguara nga viti në vit, të reflektuara me pas në një nivel të lartë të humbjeve dhe nivel të ulët të arkëtimeve. Sipas të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (ish CEZ Shpërndarje), në fund të vitit 2013, niveli i humbjeve llogaritej në rreth 45%, ndërsa arkëtimet në më pak se 70%. Ndërkohë që niveli i borxheve mes kompanive në sektorin energjetik, por edhe ndaj palëve të treta vlerësohet sipas të dhënave të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në rreth 1 miliard dollarë. Një pjesë e madhe e abonentëve familjarë nuk kanë matës dhe faturohen aktualisht aforfe. Nga ana tjetër, debitorë të energjisë rezultojnë përveç konsumatorëve familjarë dhe bizneseve, edhe institucionet shtetërore qendrore dhe ato vendore. Furnizimi me energji mbetet i varur nga importi, çka do të thotë një kërcënim i përhershëm për buxhetin e shtetit. Një problem i vazhdueshëm ka qenë edhe marrëdhënia mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe hidrocentraleve private. KESH është e detyruar me ligj që të blejë energjinë e prodhuar nga këto impiante me çmim që varion sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike nga 7-9 lekë për kwh orë, ndërkohë që ia shet energjinë OSHEE-së shumë më lirë. Kjo ka krijuar deficit financiar për KESH dhe një borxh të akumuluar që korporata ia ka HEC-eve private dhe që në fund të 2013-ës arriti në rreth 60 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Një barrë e rëndë për sektorin energjetik ka qenë edhe dështimi i privatizimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë nga kompania ceke CEZ. Konflikti mes qeverisë shqiptare dhe grupit cek kulmoi më 21 janar 2013, kur Enti Rregullator i Energjisë i hoqi licencën dhe ia delegoi kompetencat e menaxhimit të kompanisë një administratori të përkohshëm shtetëror. Përveç problemeve të mësipërme, sektori energjetik përballet me një nivel të lartë të amortizimit të rrjetit, si pasojë e mos-investimit për vite të tëra, çka bëhet shkak për defekte dhe mos-furnizim të qytetarëve me energji elektrike. Për të mbijetuar mes borxheve, por edhe për të furnizuar kompaninë e shpërndarjes me energji, KESH është detyruar të marrë kredi të shumta në bankë, ku garant ka dalë qeveria shqiptare. Kjo e rrit akoma më shumë ndikimin që kriza në sektorin energjetik ka mbi buxhetin e shtetit.

Fakti: Hapi i parë që qeveria ndërmori për të normalizuar situatën në sektorin energjetik ishte miratimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave në dhjetor 2013 për ngritjen e Task Forcës, së drejtuar nga Zv. Kryeministri Niko Peleshi. Kjo Task Forcë nisi punën më 15 janar 2014 dhe e përfundon atë në maj 2015. Ajo kishte për detyrë një menaxhim më të mirë të situatës në sektorin energjetik dhe përmirësimin e treguesve kryesorë, mes tyre uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve. Edhe pse këta dy tregues pësuan përmirësim të lehtë në fund të vitit 2014 problematikat në sektorin energjetik ishin të mprehta. Hapi i radhës që qeveria ndërmori ishte zhvillimi i negociatave me kompaninë çeke CEZ për ta zgjidhur konfliktin me mirëkuptim dhe për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar. Në fund të qershorit 2014, arriti marrëveshjen me çekët e CEZ për zgjidhjen e konfliktit me mirëkuptim. Qeveria premtoi reformë të thellë në sektorin energjetik, kusht ky edhe i marrëveshjes tre vjeçare të bashkëpunimit me FMN-në. Në muajin mars 2014, u miratuan nga Parlamenti ndryshimet në Kodin Penal, ku vjedhja e energjisë konsiderohej krim dhe dënohej me 3 vjet, ndërsa për bashkëpunëtorët me 5 vjet.

Paralelisht me këtë masë, qeveria arriti të siguronte 150 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, marrëveshje që u nënshkrua më 3 nëntor 2014. Reforma parashikon ndërhyrje në disa drejtime, mes tyre edhe në çmim. Enti Rregullator i Energjisë pritet të marrë një vendim brenda dhjetorit për tarifat e reja që do të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2015, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në nëntor se do të ketë ristrukturim të çmimit, gjë që nënkupton heqjen e fashës mbrojtëse të konsumit prej 300 kilovat orë në muaj, me argumentin se ka nxitur abuzimet. Nga ana tjetër, në fund të tetorit qeveria nisi aksionin në shkallë vendi kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Aksioni parashikon arrest me burg për të gjithë ata që vjedhin energjinë elektrike, ndërprerje të furnizimit me energji për abonentët që janë debitorë dhe arrest me burg në rast se tentojnë ta rilidhin energjinë në mënyrë të paligjshme. Për të nxitur qytetarët të shlyejnë detyrimet, qeveria vendosi të falë 80% të kamatëvonesave në rast se bëhet pagesa e plotë e detyrimit, si dhe ka dhënë mundësinë që shlyerja e debisë të bëhet me këste. Kjo është shoqëruar me dyndje të qytetarëve pranë Zyrave të Kujdesit ndaj Klientit të OSHEE për të paguar faturat e prapambetura. Të dhënat zyrtare të OSHEE-së tregojnë se arkëtimet për nëntorin u rritën me 49% më shumë krahasuar me nëntorin 2013.  Rritja e arkëtimeve konstatohet si për faturat korrente, ashtu edhe për ato debitorë. Gjithashtu, gjatë muajit nëntor u lidhën 7555 kontrata të reja, u ndërprenë 51 592 lidhje të paligjshme në të gjithë vendin, niveli i humbjeve ka zbritur në 34.5%. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë 611 denoncime në prokurori për vjedhje energjie, ndërsa 48 punonjës të OSHEE-së janë arrestuar si bashkëpunëtorë në abuzimet me energjinë. Masa e ndërmarrë së fundmi nga qeveria, është pushimi nga puna për punonjësit që nuk kanë paguar energjinë elektrike. Më 6 dhjetor, ministri i Drejtësisë vendosi shkarkimin e 131 policëve të burgjeve, pasi rezultonin debitorë të energjisë prej 13 vjetësh, ndërsa më 8 dhjetor, u pushuan nga puna 234 punonjës së OSHEE-së që kishin detyrime të papaguara të energjisë mbi 2 muaj. Masa e fundit e marrë nga qeveria për heqjen nga puna të punonjësve të administratës publike që rezultojnë debitor, vlerësohet si masa më e rëndë ndëshkuese e ndërmarrë nga qeveria. Gjithashtu, kjo masë nuk ka asnjë referencë ligjore mbi të cilën të bazohet, përkundrazi, bie ndesh me disa ligje që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat e punëmarrësit në administratën publike.

Gjithashtu, në këtë veprim të qeverise për heqjen nga puna të punonjësve të administratës publike, ka një nonsens logjik në veprimet që vijuan, pasi pak ditë pas largimit nga puna të punonjësve të parë, qeveria bëri publik vendimin për pagesën e faturës së papaguar, duke falur 80% të kamatëvonesës, rregull ky që nuk vlen për ata që punojnë në administratë publike.

 

Duhet parë sesi do të vijoje reforma ne sektorin energjetik. Në bazë të ndryshimeve të bëra deri më tani, ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Bashkia Tirane: Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve, i realizuar

Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve. Do t’iu kalohen në kompetencë njësive bashkiake administrimi i infrastrukturës dytësore dhe shërbimeve publike të drejtpërdrejta për qytetaret e bizneset, si dhe kompetencat e caktimit dhe mbledhjes së të ardhurave e të administrimit të fondeve, […]