Përmirësime radikale në sistemin e Shëndetësisë, i parealizuar

Përmirësime radikale në sistemin e Shëndetësisë.

e pavertetePremtimi: Reforma në shëndetësi është një nga pikat më të rëndësishme të programit elektoral të Partisë Socialiste. Duke e quajtur shërbimin e kujdesit shëndetësor si një nga shërbimet publike më të këqija për qytetarët shqiptarë, socialistët deklaronin në nisje të fushatës elektorale në vitin 2013 se shëndetësia shqiptare nuk arrin të realizojë asnjë nga funksionet e saj: nuk parandalon, nuk diagnostikon, nuk kuron dhe nuk rehabiliton.

Ku do bazohej reforma:

  1. Ndryshimi i sistemit kontributiv të sigurimit të kujdesit shëndetësor, pra “shëndetësia falas” përmes financimit nga taksimi i përgjithshëm;
  2. Heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar në shërbimet dhe mallrat mjekësorë me efekt nga fillimi i vitit 2014;
  3. Rritja e rolit të shëndetit publik dhe programeve të parandalimit e të promocionit shëndetësor;
  4. Zhvillimi i programeve kombëtare të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumorale dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Brenda vitit 2014 do të fillojë zbatimi i një programi kombëtar për kontrollin bazë të shëndetit për popullsinë në intervalin e moshës 40-60 vjeç si dhe në mosha më të reja për disa shtresa të veçanta të shoqërisë;
  5. Hartimi dhe zbatimi rigoroz i protokolleve bashkëkohore të mjekimit;
  6. Ngritja e një Shërbimi Kombëtar të Urgjencës Mjekësore që të sigurojmë prezencë të shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur standarde të njëjta në të gjitha qendrat pritëse duke iu përgjigjur nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit për kujdes në sëmundshmëri dhe trauma;
  7. Hartimi korrekt e shkencor dhe zbatimi i protokolleve të mjekimit e procedurave standarde të punës është hap i domosdoshëm në rritjen e transparencës, verifikueshmërisë, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, me qëllimin final, rritjen dhe përmirësimin gradual të cilësisë së shërbimit spitalor;
  8. Spitalet do të administrohen në mënyrë efikase dhe do të financohen në bazë të paketave të shërbimit që paguesi i vetëm do të kontraktojë për kujdesin e nevojshëm spitalor të çdo individi;
  9. Të gjithë spitalet publike dhe jopublike do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit fillestar dhe rivlerësimit periodik. Shërbimet spitalore universitare do të kenë rol parësor edhe në udhëheqjen profesionale të shërbimeve spitalore në të gjithë vendin;
  10. Do të vendosen standarde profesionale në ofrimin e shërbimit dentar, do të garantohet siguria e materialeve mjekësore dentare dhe do të kërkohet rivlerësimi periodik i aftësive profesionale të mjekëve stomatologë;
  11. Ne do të ulim çmimin e shitjes së barnave në Shqipëri. Nuk do të ketë asnjë produkt farmaceutik të regjistruar që do të shitet në vendin tonë me një çmim më të lartë se në vendin e tij të origjinës. Qendra e Kontrollit të Barnave do të shndërrohet në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore.

Fakti: Në harkun kohor të më shumë se një viti qeverisje, të majtët kanë realizuar këto ndërhyrje në sistemin shëndetësor:

  1. Në 1 prill të vitit 2014 u hoq TVSH-ja për ilaçet, ndërkohë që listës së barnave të rimbursueshme iu shtuan edhe 55 produkte të reja. Kjo listë medikamentesh, e miratuar nga qeveria shkonte kryesisht për të sëmurët që vuanin nga kanceri, anemia, diabeti, sëmundjet kardiake e ato të neurologjisë. Për herë të parë u përfshinë në listë barna që përdoren për të kuruar edhe varësinë nga alkooli. Heqja e TVSH 10 % për barnat solli ulje të çmimit të tyre;
  2. Në qershor të vitit 2014, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj deklaroi se po bëhet furnizimi i vazhdueshëm i spitaleve me ilaçe. Sipas Z. Beqaj, ministria arriti të vërë në funksion një mekanizëm që garanton një furnizim të vijueshëm të spitaleve me barna. Gjithashtu u kryen kontrata afatgjata të mirëmbajtjes së pajisjeve të rëndësishme bio-mjekësore;
  3. Edhe pse e prezantuar në fund të muajit shtator 2014, Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor nisën të aplikojnë për herë të parë në nëntor 2014 paketat shëndetësore falas. Një analizë koronarografie, ndërhyrje by-pasi apo dializa bëhen falas edhe në spitalet private. Ministria e Shëndetësisë kreu procedurat për blerjen e 10 paketave të shërbimeve për të cilat pacientët prisnin me muaj në shtet. Kostot u llogaritën nga Fondi i sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe u nënshkruan kontrata me 5 spitale private në vend;
  4. Lancimi i fushatës “Si je?” i cili nis nga janari i vitit 2014. Për herë të parë ofrohet në të gjithë vendin një kontroll i plotë shëndetësor falas për grupmoshën 40 deri në 65 vjeç.

 

Pavarësisht ndërhyrjeve në çmimin e barnave, paketave shëndetësore, furnizimin e spitaleve publike me ilaçe si dhe nisjen e fushatës së “check up-it”, ndërhyrjet në sistem konsiderohen sipërfaqësore/arnuese dhe jo thelbësore për ndryshimin apo reformimin radikal të sistemit.

 

Kësisoj, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Bashkia Tirane: Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve, i realizuar

Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve. Do t’iu kalohen në kompetencë njësive bashkiake administrimi i infrastrukturës dytësore dhe shërbimeve publike të drejtpërdrejta për qytetaret e bizneset, si dhe kompetencat e caktimit dhe mbledhjes së të ardhurave e të administrimit të fondeve, […]