Synimi

Synimi: Matja/vlerësimi i vërtetësisë së një programi qeverisës, ose një premtimi politik.

Mjetet: Cilësore dhe Sasiore.

Përshkrim i përgjithshëm

Vërtetëmatësi është një praktikë e themeluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e zbatuar tashmë në shumë vende të tjera, që synon matjen e realizimit të premtimeve të dhëna nga forcat politike në pushtet në zgjedhjet paraardhëse si dhe matjet e vërtetësisë së premtimeve politike gjatë një fushate elektorale.Synimi i Vërtetëmatësit në Shqipëri është vlerësimi i realizimit të programit qeverisës gjatë katër viteve të fundit si dhe vlerësimi i vërtetësisë së premtimeve elektorale të spektrit politik shqiptar në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Parimi i përgjithshëm i Vërtetëmatësit është se në politikë nuk ka të vërteta absolute, por pothuajse gjithçka zhvillohet në një zonë gri.

Vlerësimi i deklaratave politike

Politikanët gjatë jetës së tyre të përditshme kanë gjithmonë tendencën të bëjnë deklarata që përmbajnë fakte të paqena ose pjesërisht të vërteta, tregojnë fakte pa lidhje për të krijuar insinuata në mbështetje të një argumentimi etj. Një grup kërkuesish i vlerëson këto deklarata në përballe me faktet e disponueshme nga realiteti shqiptar. Në fund deklaratat politike klasifikohen si:

E vërtetë – deklarata është e saktë dhe asgjë e rëndësishme nuk ha humbur.

Pjesërisht e vërtetë – deklarata është e saktë por ka nevojë për saktësime të mëtejshme.

Gjysmë e vërtetë – deklarata është pjesërisht e vërtetë por lë jashtë elementë të rëndësishëm apo i jep faktet jashtë kontekstit.

Pjesërisht e pavërtetë – Deklarata përmban disa elementë të vërtetë por injoron fakte të rëndësishme që krijojnë një përshtypje tjetër.

E pavërtetë – Deklarata nuk përmban informacion të vërtetë

Ia fut kot – Deklarata jo vetëm që nuk është e saktë, por përmban edhe pretendime qesharake

Shembull 1 – Partia Socialiste deklaron se borxhi publik ka qenë 50 për qind në vitin 2005 dhe është rritur në 60 për qind në vitin 2012.

Faktet: Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar thonë se borxhi publik ka qenë 57.8 për qind në vitin 2005, ka rënë në 53.4 në vitin 2007 dhe është rritur në mbi 60 për qind në vitin 2012.

Në deklaratë përmenden dy fakte: Borxhi publik 50 për qind dhe borxhi publik i rritur në 60 për qind. Fakti i parë është i pavërtetë. Fakti i dytë, pra që borxhi është rritur, është i vërtetë.

Rrjedhimisht deklarata është gjysmë e vërtetë.

Shembull 2

Kryeministri Sali Berika deklaron se “në fillim të vitit 2006, pensioni mesatar në fshat ishte 34 dollarë. Sot është rritur me 110 përqind”.Faktet: Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, pensioni mesatar mujort i fshatit në vitin 2006 ka qenë 4,239 lekë, ndërsa në vitin 2011, ka qenë 7859 lekë. Rritja në përqindje është 85 për qind.

Në deklaratë përmenden dy fakte: Pension në masën 34 dollarë dhe rritje 110 për qind. Të dyja faktet rezultojnë pjesërisht të vërteta. Rrjedhimisht deklarata konsiderohet Pjesërisht e vërtetë.

Ballafaqimi i deklaratave me realitetin është përgjithësisht një punë e lehtë metodologjike. Shifrat nuk janë thelbi i deklaratave në të dyja shembujt e mësipërm. Thelbi janë cilësorët. Opozita e akuzon qeverinë se e ka rritur borxhin publik ndërsa e ka gjetur atë në një nivel të ulët. Qeveria deklaron se i ka rritur pensionet në mënyrë spektakolare, në përputhje me një premtim të vetin elektoral të vitit 2005.

Vlerësimi i premtimeve në programin qeverisës

Vlerësimi i realizimit të premtimeve të ndërmarra në programin qeverisës është një punë më e komplikuar nga pikëpamja metodologjike se sa vlerësimi i vërtetësisë së deklaratave. Premtimet në programin qeverisës shpesh përmbajnë gjuhë fluide, premtimet nuk përmbajnë një mekanizëm logjik të realizimit të tyre dhe në shumë raste, cilësorët janë përgjithësues, psh. “do ta rrisim ekonominë”, ose “do ta ulim korrupsionin” pa përmendur se sa apo si.

Për këtë arsye, një premtim i programit qeverisës fillimisht klasifikohet si:

a) Konkret

b) Pjesërisht konkret

c) I përgjithshëm

Përveç kësaj, në rast se premtimi është konkret, shënohet nëse qeveria ka përcaktuar një afat kohor për realizimin e premtimit. Nëse qeveria nuk e ka përcaktuar afatin kohor, mandati qeverisës katërvjeçar merret si afati maksimal i mundshëm. Premtimet e qeverisë ballafaqohen me realitetin në kohën kur hartohet raporti i vërtetëmatësit.

Burimet e fakteve janë burimet publike, statistikat zyrtare apo raportimet e organizmave të ndryshme vendëse apo të huaja, si dhe media. Premtimet klasifikohen si:

E vërtetë – premtimi elektoral rezulton i realizuar në mbi 75 për qind.

Pjesërisht e vërtetë – Premtimi elektoral rezulton i realizuar mes 50 dhe 75 për qind.

Pjesërisht e pavërtetë – Premtimi elektoral rezulton i realizuar mes 25 dhe 50 për qind.

E pavërtetë – Premtimi elektoral rezulton i parealizuar ose shumë pak i realizuar.

Vlerësimi i cilësisë (saktësisë) së programit të një partie

1. Në programet e partive dhe të qeverisë, identifikohen ato pjesë që përbëjnë premtime dhe ekstraktohen nga programi, listohen në eksel.

– Premtim konsiderohet një deklaratë që përban veprime me anë të së cilave një parti thotë se do të arrijë disa synime.

– Në raste ideale, premtimi përmban qëllime të caktuara, por në praktikë, hasen shumë devijime nga ky rregull. – Në disa raste një premtim ka më shumë se një qëllim, si në rastet kur ka një objektiv të përgjithshëm dhe më pas, shumë objektivë të vegjël. Në këto raste, premtimi është trajtuar si një i plotë ose është ndarë në disa premtime.

Për shembull: “Ne do të zhvillojmë zonat rurale përmes ndërtimit të infrastrukturës së re në rrugë, shtëpi, elektricitet dhe vaditje.”Në këtë rast, një premtim i tillë ndahet në katër elementë:

1. Zhvillimi i zonave rurale përmes ndërtimit të rrugëve

2. Zhvillimi i zonave rurale përmes ndërtimit të shtëpive

3. Zhvillimi i zonave rurale përmes zhvillimit të rrjetit të energjisë

4. Zhvillimi i zonave rurale përmes zgjerimit të infrastrukturës së vaditjes

Në raste të tilla, secila nga komponentët vlerësohet më vete duke marrë parasysh se çfarë është bërë praktikisht dhe cili ka qenë rezultati. Një ndarje e tillë bëhet për të bërë më të matshëm premtimin duke përdorur njësi të ndryshme matëse. Në disa raste, matja e rezultateve është thjeshtë e pamundur për shkak të mungesës së burimeve faktuale.

PSH, nëse vendi nuk disponon një sistem statistikor për matjen e rrugëve në kilometra, gjerësi apo trashësi, premtimi konsiderohet si i pamundur për t’u matur.

2. përcaktimi i synimeve dhe njësive matëse të secilit premtim.

Shembull:“Zhvillimi i zonave rurale përmes ndërtimit të rrugëve”

Synimi: rrugë të reja për ndihmën e zhvillimit të zonave rurale

Njësia matëse: ndërtimi i rrugëve në zonat rurale

3. Vlerësimi se sa konkrete janë objektivat dhe matjet e një premtimi

“Zhvillimi i zonave rurale përmes ndërtimit të rrugëve”

Objektivi: pjesërisht i saktë – ne e dimë se vendi ka nevojë për rrugë të reja, por nuk e dimë nëse këto rrugë do të jenë autostrada apo rrugë të paasfaltuara fshati. Ne nuk e dimë se sa kilometra rrugë duhet të ndërtohen në mënyrë që të kemi efektin e dëshiruar në zhvillimin e zonave rurale.

Matjae pasaktë – ne nuk e dimë se nga do të vijnë paratë për rrugët e reja, nuk e dimë se brenda çfarë afatesh do të ndërtohen dhe nuk e dimë nëse programet e ndërtimit të rrugëve të reja janë më të mëdha apo më të vogla se sa sasia e rrugëve të vjetra që amortizohen.

4. Bazuar në këto faktorë, ne vlerësojmë se sa konkret është një premtim

“Zhvillimi i zonave rurale përmes ndërtimit të rrugëve”

Kjo klasifikohet si “pjesërisht konkrete bazuar në objektivat dhe matjet e premtimit.

5. Bëhet një vlerësim se sa konkret është një premtim bazuar në ndarjet, konkrete, pjesërisht konkrete, jokonkrete.

6. Informohet partia përkatëse dhe u kërkohet të specifikojnë qëllimet dhe matjet, të cilat nuk konsiderohen si mjaftueshmërisht konkrete. Në këto raste kërkohet gjithashtu të specifikohen çështje të tilla si:

– ligje që mund të jenë të nevojshme të miratohen për të arritur objektivat e synuara- analiza, studime apo strategji të nevojitur për  të arritur objektivat e synuara

– Burimi dhe sasia e parave të nevojshme për të arritur një premtim të caktuar- Koha gjatë së cilës kërkohet zbatimi i masave të njoftuara

– Identifikimi i institucioneve apo specifikimi i institucioneve që do të themelohen, që do të ngarkohen për zbatimin e masave të njoftuara- Hartimi i një mekanizmi monitorues për zbatimin e aktiviteteve të propozuara

Bashkia Tirane: Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve, i realizuar

Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve. Do t’iu kalohen në kompetencë njësive bashkiake administrimi i infrastrukturës dytësore dhe shërbimeve publike të drejtpërdrejta për qytetaret e bizneset, si dhe kompetencat e caktimit dhe mbledhjes së të ardhurave e të administrimit të fondeve, […]