Testimi I mjekëve, i pa bazuar dhe jo efikas, mbetet per tu verifikuar

Testimi I mjekëve:protesta-e-mjekeve

Pas një vit e gjysmë qeverisjeje, reforma e shumëpërfolur dhe shumëpritur në shëndetësi nisi aty ku askush nuk e priste, testimi i bluzave të bardha. Ai u bë publik përmes një deklarate të beftë të kryeministrit Rama vetëm dy ditë para mbylljes së vitit 2014. Që në ditët e para te Janarit kjo iniciativë ngjalli reagimin e ashpër të mjekëve dhe infermierëve. E në fakt nuk flasim për një pakicë njerëzish, pasi në total kjo kategori shkon në mbi 21 mijë persona, të cilët shërbejnë në një sektor kyç që i prek të gjithë. Infermierët dhe mjekët janë kundër provimit të njohurive të tyre për disa arsye:

  1. Testimi është antiligjor sepse nuk mbështetet në asnjë nga ligjet për profesionet e rregulluara në Shqipëri;
  2. Testimi është një vendim politik;
  3. Mjekët dhe infermierët janë kategoria më e testuar nga provimet nëpër të cilat kalojnë gjatë shkollimit;
  4. Testimi lë hije dyshimi për heqje apo transferime të bluzave të bardha nga puna;
  5. Testimi edhe nëse kryhet nuk duhet të bëhet me emra, por në mënyrë anonime;

Përmbledhje e përgjithshme:

Në ditët e fundit të Janarit, nisi në distancë një përballje mes ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj dhe bluzave të bardha. Por gjithçka mbeti në kuadrin mediatik, pasi asnjëherë nuk u organizua një tavolinë e përbashkët diskutimesh me argumente pro dhe kundër. Refuzimi i mjekëve kulmoi në një kërcënim serioz. Përmes sindikatës mjekët paralajmëruan një protestë masive me bojkotim të punës në spital. Dhe për ata që njohin mirë historinë e mosbindjeve civile të mjekëve, kjo ishte një lëvizje për t`u shënuar. Vetëm një herë bluzat e bardha janë bërë bashkë në tilla bojkote dhe kjo në rastin kur një koleg i tyre ( kardiokirurgu Ali Refatllari) u plagos në krye të detyrës. Por pavarësisht kësaj, tërheqja e pritur e ministrisë nuk erdhi…

Përkundrazi vendimi u pasua me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, për ministrin e shëndetësisë. Fillimisht në një konferencë të improvizuar në ambientet e QSUT-së, ku qëllimi i vërtetë ishte dalja përkrah ministrit Beqaj dhe lavdërimi për punën e tij të mirë. E më pas në një takim informal me shefat e shërbimit të QSUT-se. Ata ishin të vetmit që nuk do bëheshin pjesë e testimit, por do të merrnin në provim të tjerët. Pas takimit pa praninë e medias, shefat ranë dakord me testimin, pa patur përplasje me kreun e ekzekutivit, duke ngjallur habinë e të gjithëve (madje as ata që ndër vite njihen si mbështetës të së djathtës).

Ky ishte sinjali i fortë, se testimi nuk ishte më në diskutim…

Fakti

Ndaj të hënën e parë të shkurtit, sheshi para urgjencës së QSUT-së u bë fushëbeteja e mjekëve dhe infermierëve. Ata bojkotuan punën në 11.00 për një orë. Shërbim shëndetësor morën vetëm rastet e urgjencës. Mes bluzave të bardha kishte edhe shefa shërbimesh që përkrahën kolegët. Nga 2 Shkurti çdo e Hënë e muajit, u kthye në ditën e protestës. Ajo përfshiu edhe spitale në rrethe të tjera të vendit. Të organizuar mjekët shtuan kërkesat e tyre, këtë herë duke përfshirë edhe kushtet e këqija të punës si dhe rritjen e pagës së stafit mjekësor. Një kërkesë prekte edhe vetë shërbimet, me të drejtën e rizgjedhjes vetëm një herë të shefave të tyre. Në këtë mënyrë, mjekët kërkonin të godisnin mitin e shefit të pavdekshëm që vendos për gjithçka dhe këdo që ka në shërbimin e tij ( që nga listat e kryerjes së ndërhyrjeve kirurgjikale e deri tek numri i tyre gjatë vitit). Mjekët krijuan unionin e tyre, duke u bashkuar me të njëjtën filozofi: Jo testimit! Të parët që do të përballen me testimin janë infermierët e Qendrës Spitalore Nënë Tereza në datën 28 Shkurt dhe 1 Mars. Fill pas protestës, ministria e shëndetësisë publikoi fondin e pyetjeve, që efektin më të madh e krijoi në rrjetet sociale ku u shoqërua me talljen e mjekëve për pyetjet. E në fakt disa prej tyre përveç problemeve nga ana profesionale, kishin edhe gabime gramatikore.

Me kundërshtinë e Urdhrit të Infermierit, protesta e mjekëve mori një tjetër rrjedhë. Kërkesa përfundoi në dyert e gjykatës me padinë e këtij institucioni. Aty kërkohej pezullim i aktit normativ të ministrit Beqaj si i paligjshëm dhe më pas gjykim i çështjes në themel.

Dhe ndoshta për herë të parë mijëra mjekë dhe infermierë, guxuan të artikulojnë një kërkesë politike: Dorëheqjen e ministrit Beqaj, duke hedhur hije dyshimi mbi afera korruptive për disa tendera dhe për vet procesin e testimit…

Reforma në shëndetësi është një domosdoshmëri mbi të cilën bien të gjithë dakord. Dhe herët a vonë asaj do ti vijë momenti. Mbase ky ishte moment i duhur për të “operuar kancerin” në shëndetësi. Por ai që nuk është i duhuri në gjithë këtë histori duket se është mjeti. Testimi nuk është halli më i madh i këtij sektori, ndër më të korruptuarit në vend. Të nisësh me të është njësoj si të rregullosh fasadën e një ndërtese, që i janë kalbur muret e brendshme. Ndaj “bisturia qeveritare” duhet të nisë tjetërkund. Të paktën kjo është ajo që presin qytetarët, që i përplas halli në dyert e spitaleve, ku ajo shprehja e urtë popullore “mos pafsh as hasmin” merr kuptimin e vërtetë të fjalës.

Bazuar në analizën e mësipërme dhe fakteve rezulton qe, procesi i testimit te mjekeve nga Ministria e Shëndetësisë rezulton te jete i pa bazuar ne ligj. Megjithatë, do pritet vendimi i gjykatës për te vërtetuar pretendimet e mjekeve rreth këtij procesi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Bashkia Tirane: Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve, i realizuar

Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banoreve të blloqeve e të pallateve. Do t’iu kalohen në kompetencë njësive bashkiake administrimi i infrastrukturës dytësore dhe shërbimeve publike të drejtpërdrejta për qytetaret e bizneset, si dhe kompetencat e caktimit dhe mbledhjes së të ardhurave e të administrimit të fondeve, […]